3 Qershor 2025
9:10
Telesport
Një epokë e re ka nisur për kombëtaren e Brazilit. Trajneri Carlo Ancelotti nuk ka patur shumë kohë për të pushuar pas një sezoni që ishte mjaft intensiv dhe nganjëherë i trazuar me Real Madrid. Dje ka nisur zyrtarisht puna e tij me kombëtaren Seleçao, si trajner i ri i kombëtares braziliane.
Ancelotti veshi sërish tutat pasi ndoqi nga stadiumi disa ndeshje të skuadrave braziliane dhe vizitoi ambientet e CBF-së. Në hotelin që pret kombëtaren në Sao Paulo, trajneri italian mblodhi lojtarët e grumbulluar prek tij dhe anëtarët e stafit teknik për një prezantim të kursit të ri.
Të vetmit lojtarë që nuk morën pjesë në seancë ishin tre lojtarët që luajtën në finalen e Champions League të shtunën e kaluar: Mbrojtësit Beraldo dhe Marquinhos, të kampionëve të Evropës me Paris Saint-Germain dhe mbrojtësi i majtë Carlos Augusto, i Inter. Ata do t’i bashkohen grupit sot pasdite.
Carlo Ancelotti drejtoi stërvitjen e tij të parë në fushë me kombëtaren. Debutimi i tij do të jetë kundër Ekuadorit (të premten, në orën 01:00 me orën shqiptare, ndërsa të martën e ardhshme kombëtarja do të luajë me Paraguaj. Brazili është në vendin e katërt në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Botërorin 2026, me 21 pikë.
