Adriatik BALLA
Lojtarët e Kombëtares po përgatiten për ndeshjen e 7 qershorit kundër Serbisë. Sot do të nisë grumbullimi i plotë i grupit dhe trajneri ka kohë deri të shtunën ta përgatisë si duhet ndeshjen dhe të mendojë për rezultat pozitiv. Ndërkohë, sulmuesi anësor Jasir Asani vjen me një sinjal të fortë për trajnerin Silvinjo, pasi shënon gol në Korenë e Jugut për skuadrën e tij. Ndërkohë, shqiptari Xherdan Shaqiri vijon të shkëlqejë në Zvicër me gola e trofe, kurse Ermir Jashica regjistroi sukses në Ukrainë me Metalistin.
Asani kthehet te goli, sinjal për Sivinjon para ndeshjes me Serbinë
Sulmuesi kuqezi, Jasir Asani, është rikthyer te goli pas një kohe të gjatë. Në minutën e 44-të, sulmuesi i Kombëtares kuqezi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke tundur rrjetën. Guangju udhëheq momentalisht transfertën me Daegu falë golit të Asanit. Rikujtojmë që për herë të fundit ai shënonte dygolësh kundër Vissel Kobe në Championsin aziatik më 12 mars të 2025-ës. Ky gol vjen pikërisht në prag të sfidës Shqipëri-Serbi, ku Asani duhet të shpalosë të gjithë aftësitë e tij për të ndihmuar Kombëtaren që të fitojë.
Rashica ngjit skuadrën në elitën ukrainase
Shqiptari Ermir Rashica ka qenë një nga figurat kyçe në suksesin e madh të klubit ukrainas Metalist, që pas një periudhe të gjatë rikthehet në elitën e futbollit të Ukrainës. Në fazën vendimtare të sezonit, Rashica shkëlqeu me paraqitjet e tij, duke kontribuar drejtpërdrejt në suksesin e skuadrës. Në 9 ndeshje të rëndësishme për promovimin, ai realizoi 3 gola dhe asistoi në 3 të tjera, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit. Forma e tij konsistente dhe ndikimi në ndeshje të mëdha e kanë bërë Rashicën një lider në fushë dhe një simbol të këtij sezoni të paharrueshëm për Metalist. Kjo arritje përfaqëson një kapitull të ri në karrierën e tij, ndërkohë që për Metalist-in hap një perspektivë të re dhe ambicie të mëdha për të qenë konkurrues në ligën më të lartë të futbollit ukrainas.
Shaqiri fitoi edhe kupën në Zvicër, por do më shumë
Ekipit të Bazelit i mungoi shkëlqimi në fitoren 4:1 ndaj Bielit në finale të Kupës së Zvicrës, të dielën. Xherdan Shaqiri e shënoi një gol nga penalltia, por ylli i Baselit nuk është i kënaqur me paraqitjen. “Menjëherë pas ndeshje, gjithnjë e keni paraqitjen në mendje. Jam i dëshpëruar që nuk ofruam paraqitje të shkëlqyer”, ka thënë Shaqiri për SRF. “Ende më duhet kohë. Jam lojtar ambicioz dhe gjithnjë dua paraqitje të nivelit më të lartë. Por natyrisht jam i lumtur që fituam Kupën, ndonëse nuk ishte paraqitja jonë më e mirë”, ka shtuar 33-vjeçari. Bieli garon vetëm në kategorinë e tretë zvicerane, por i bëri shumë rezistencë Baselit, që tashmë ka fituar titullin e kampionit të Zvicrës. Shaqiri ka lavdëruar Bielin për paraqitjen. “Më ka befasuar me paraqitjen. Komplimente të mëdha për Bielin. Te kjo skuadër kanë luftuar deri në fund. Kemi fituar dy trofetë dhe jam shumë krenar me atë që kemni arritur”, ka thënë Shaqiri.
Asani gol dhe sinjal Kombëtares para ndeshjes me serbët, Rashica kthen Metalistin në elitën e Ukrainës
