PAMJE NGA MBEDHJA

TIRANË-Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi sot ndryshimet në ligjin për “Për investimet”, propozuar nga deputetja e PS-së, Pranvera Resulaj. Deputetja bëri të ditur se ndryshimet e propozuara ndër të tjera parashikojnë zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “investim/ investitor strategjik, procedure e asistuar/e veçantë” deri më 31 dhjetor 2026.
Deputeti i PD-së, Helidon Bushati deklaroi se ndryshimet e sjella në ligj po bëhen për të favorizuar industrinë e ndërtimit për banim.
“Çdo kullë e ngritur në kryeqytet kap vlerën e investimit mbi 50 milionë euro. Ndërtimi është i vetmi sektor që nuk ishte përfshirë në procedurë të asistuar. Pse duhet shteti ti japë ndihmë një personi që do të bëjë një kullë për ta shitur 8-fishin e kostos që ndërton. Nuk prodhon asgjë. Ende nuk keni arritur të kapni nivelin e 2012-ës”, deklaroi Bushati.
Nga ana tjetër drejtuesja e AIDA-s Laura Saro theksoi se ndërtimi për banesa nuk përfiton nga lehtësitë që ofron ky ligj. Ajo vlerësoi se pavarësisht se numërohen në të gjithë vendin 8 investime strategjike, në vlerë absolute zënë 70 % e vlerës së investimeve të huaja në vend. Saro informoi se vitin që vjen do të akomodohet kërkesa e Lidl, një investim prej 120 milionë eurosh dhe që do të punësojë 2800 persona.
Deri më tani investimet strategjike realizoheshin në sektorë prioritarë si energjia, transporti apo turizmi ndërsa  tashmë synim është zgjerimi i investimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Statusin “Investim/investitor strategjik, procedure e asistuar” e përfitojnë gjithashtu investitorët/projektet investuese, për të cilat, pavarësisht se nuk janë parashikuar te realizohen ne një nga sektorët e përcaktuar ne piken 1, te këtij neni, parashikohet qe vlerën totale te kapitalit investues te projektit ta kenë te barabarte ose më e madhe se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro dhe pasi te kenë marre miratimin paraprak te ministrisë së linjës”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Që kur ka hyrë në fuqi ligji e deri më tani janë trajtuar 108 projekte investimi, prej te cilave: 48 kane përfituar status strategjik, 30 projekte janë refuzuar dhe 31 projekte janë në fazë vlerësimi. Industria e turizmit është sektori i preferuar ku është përqendruar edhe numri më i madh i këtyre projekteve. Të gjithë investitorët strategjikë trajtohen në mënyrë të diferencuar nga bizneset e tjera, pasi përfitojnë lehtësi në taksa, procedura administrative të shpejta apo programe mbështetëse./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente