
Ervin Salianji
FIER-TIRANË- Nga qelia numër 6, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji bëri një denoncim lidhur me procedurën e ndjekur për Gjykata e Lartë për hedhjen e shortit për caktimin e trupës gjykuese. Në reagimin e tij të përcjellë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Salianji u shpreh se po bëhej manipulimi i shortit për ta lënë në burg. Ai ka ndarë tre foto të ndryshme të kapura nga faqja zyrtare e Gjykatës së Lartë, ku relatori i çështjes ndryshon. Njëherë është Sokol Binaj, pastaj caktohet Albana Boksi dhe më pas, është lënë bosh. Sipas Salianjit, ai po mbahet qëllimisht në burg, që të mos bëjë më politikë.
“Pasi shpalli vendimet që ai dëshironte në dy shkallët e Gjyqësorit, për krimin e agjitacion e propogandë dhe se e mundja qeverinë në çdo përballje, Edi Rama ka marrë masa që të bëjë të njëjtën gjë me Gjykatën e Lartë. Në fillim më burgosën pa ligj, vetëm për publikimin e një investimi gazetaresk, për një denoncim publik të vërtetuar brenda ditës nga vetë Agron Xhafaj, i dënuar me 7.4 vjet burg në Itali pas një operacioni të DEA-s, i cili u detyruar të shkonte në qeli sic urdhëronte drejtësia italiane. Më pas u kapën duke paguar dëshmitarë të rremë. Dshmitari u kap me video duke pranuar qē kishte marrë para nga Xhafaj dhe vartësit e tij. U kapën dhe drejtuesit e policisë së shtetit në përgjime zyrtare të prokurorisë duke paguar me para dhe instruktuar dëshmitarin e rremë. Më tej, manipuluan duke futur në gjykatē, (akte dhe vendime që askush nuk i dinte se si ishin futur në dosje). Vonuan zbardhjen e vendimit për të penguar rekursin në Gjykatë të Lartë. Më burgosën duke pasur mandat dhe asnjë institucion nuk konstatoi humbjen e mandatit në momentin që isha në burg. Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë! Është e qartë. Ky nuk është proçes, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore! Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë! Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen!,”-shkruan Salianji.
Denoncimin ia mbështeti sot në një konferencë me gazetarët edhe kryedemokrati Sali Berisha.
“Ky akt i shëmtuar politik dëshmon dhe njëherë fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës. Dëshmon dhe njëherë lidhjet e tij të tmerrshme me klanin Xhafaj, dhe se klani Rama dhe klani Xhafaj janë dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë, të rajonit dhe Europës, pasi janë dy klanet që kontrollojnë me t gjithë pushtetin ekzekutiv dhe të tjera, trafiqet kriminale në këtë vend. Ndryshimi nga Rama-Xhafaj me përsëritje të shortit në prag të seancës së gjykimit, duke i dorëzuar shortin Sokol Binajt, një militant i vjetër i PS, i shumënjohur si i tillë, pasaardhës i një ish-xhelati të diktaturës komuniste, dhe caktimi i tij jashtë çdo lloj parashikimi dhe procedure, duke ndryshuar shortin me short, tregon tmerrin që kanë klani Xhafaj dhe klani Rama ndaj denoncimit të Ervin Salianjit,”-tha kryedemokrati.
Por pas aludimeve dhe denocimeve nga kampi blu, një sqarim ka ardhur edhe nga Gjykata e Lartë. Në një reagim zyrtar, kjo e fundit sqaron se Binaj kishte qenë relator edhe i ankimimit nga Salianji lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, por Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS) e cakton automatikisht. Duke shtuar se ICMIS nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë pranoi se për çështjen shorti elektronik kishte përzgjedhur si relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe po ashtu, sqaron se përse është ndryshuar.
“Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”. Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024. Mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj,”-sqaron Gjykata e Lartë.
REAGIMI:
Në datën 08.01.2025, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me numrin 51180-00012-00-2025, e cila ka si palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh.. Në datën 08.01.2025, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me numrin 51180-00012-00-2025, e cila ka si palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh.. Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi. Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”. Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024. Mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj. Ky veprim që kryet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë.
Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t’u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Gjyqi zgjati për disa vite për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rremë. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit./ZËRI
cb1e9599 e528 4765 8c32 be0c332955ac
2
1
Burimi